Gara e televizioneve, Shqipëria e vetmja që bombardon shikuesit me politikë - Android

Get it on Google Play

Gara e televizioneve, Shqipëria e vetmja që bombardon shikuesit me politikë - Android

 
 
“Grand Prix” e televizioneve ka ndezur motorët përgjatë shtatorit në një garë të ethshme, në kërkim të shumicës së audiencës. Nëse ke këtë të fundit në krah, sigurisht që do të thotë më shumë para. Por cilët janë këtë vit në krye të listës së emisioneve ku reklama paguhet më shumë? Drejtuesit të cilët kujdesen […]

“Grand Prix” e televizioneve ka ndezur motorët përgjatë shtatorit në një garë të ethshme, në kërkim të shumicës së audiencës. Nëse ke këtë të fundit në krah, sigurisht që do të thotë më shumë para. Por cilët janë këtë vit në krye të listës së emisioneve ku reklama paguhet më shumë? Drejtuesit të cilët kujdesen për programet tregojnë se vit pas viti, programacionet janë konsoliduar duke mbajtur një strukturë bazë e sprovuar në kohë, ashtu siç nuk mungojnë emisionet e reja.

Në një treg të vogël si Shqipëria, secili kërkon “asin” nën mëngë përballë kundërshtarit, koha ka treguar se politika (me pak sherr) dhe telenovelat janë një zgjedhje e mirë gjithmonë. Në raport me vendet e tjera, Shqipëria është një ishull mediatik në aspektin e preferencës në prime-time. Ky hark kohor mbytet nga politika, krejt e kundërta me italianët që duan të argëtohen apo amerikanët dhe britanikët që duan seriale dhe drama.

Nga Nertila Maho

Shtatori ka shënuar si çdo vit “startin” e sezonit të ri në televizione. Motorët për garën e re u nxehën që gjatë gushtit kur u njoftuan përmes spoteve prurjet e reja, ndërkohë që kjo u bë edhe më intensive këtë muaj. Pjesa më e madhe e emisioneve të strukturës që kanë televizionet, kryesisht ato të mëngjesit, debatet politike si dhe disa të tjerë të lidhur me argëtimin, kanë nisur. Ndërkohë që të tjerë janë ende duke u bërë gati e akoma më tej ende në diskutim, sepse koha në televizione nuk mbaron kurrë.

Ka gjithmonë një hapësirë ku mund të jepet diçka më shumë, të trajtohet një tendencë e re, të sillet një patentë më e fundit për një emision të ri, të serviret një dramë apo serial. Janë kaq shumë televizione, por një audiencë e vogël e cila në morinë e një oferte të lartë copëzohet. Gjithsesi në finale dy janë boshtet ku rrihet vëmendja e shumicës, debati politik dhe telenovelat.

Talk show politik dominon darkën, të gjithë me një emision kyç

Emisionet e formës talk show politik mbizotërojnë darkat e shqiptarëve. Ai që duket se mbetet “stoik” pa ndryshime është “Opinion”, i Blendi Fevziut, në televizionin Klan. Drejtori i Programit në këtë televizion, Armand Shkullaku, shprehet se ky është emision strukture që ka provuar suksesin e tij në audiencë, ndaj forma që vjen në këtë sezon të ri nuk ndryshon aspak nga forma e sezoneve të kaluara. Opinioni zë sërish oraret e zakonshme të tij në sezonin paraardhës, pra të hënë dhe të mërkurë në orën 22:00 dhe të enjten në prime-time, ora 21:00.

Top Channel, nga ana e tij, vjen në këtë sezon me një Talk Show të ri “Open” nga gazetarja Eni Vasili. Kjo e fundit la një prej televizioneve informative për të zëvendësuar Ylli Rakipin, ndërkohë që ky i fundit zuri vendin e Vasilit tek i njëjti televizion.
Në Vizion Plus, debatin politik e udhëheq emisioni i Sokol Ballës me Real Story.

Radio Televizioni Shqiptar ka “Përballjen” në listën e emisioneve që mbulojnë sidomos spektrin politik por jo vetëm.
Televizionet informative kanë kuptuar dobësinë e audiencës për politikën dhe këtë e sheh thjesht nga maratona e seancës parlamentare që transmetohet live për orë e orë të tëra çdo të enjte.

Dueli zhvendoset në kuzhinë, të gjithë me emisione rreth gatimit

Ka një theks të veçantë tek ushqimi i shëndetshëm apo gatimi në përgjithësi dhe duket se kjo tendencë është parë edhe nga televizionet, si një mundësi për emisione të reja. Top Channel ka vendosur që të sjellë një patentë “Hells Kitchen” (Kuzhina e Djallit) një format që do të transmetohet çdo të premte në orën 21:00 dhe që do të moderohet nga Renato Mekolli. Ky emision tregon se çfarë ndodh në të vërtetë në kuzhinën e një shefi të madh, një format i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Televizioni Klan ka vendosur që këtë sezon në kuzhinë të ketë dy djem. Alfio dhe Indriti që gjatë verës i pamë në “Bukë e kripë e zemër” do të prezantojnë recetat e tyre, ndërkohë që gjithçka është parashikuar edhe si një lojë. Emisioni i dikurshëm në Klan kur moderatorja ftonte dy personazhe të njohur për të gatuar tashmë është modifikuar. Dy djemtë shefa do të shoqërohen nga dy persona të zakonshëm në një garë pjatash në kuzhinë. Radio Televizioni Shqiptar gjithashtu ndalet në kuzhinë me një emision të ri. Drejtori i Programacionit, Rezart Aga, shpjegon se kjo pjesë është konceptuar si një garë gjyshesh, ku gjyshe nga Kosova dhe Shqipëria do të gatuajnë për të fituar më pas një çmim.

Telenovelat turke, një sukses i padiskutuar, tregjet ku po blihen serialet dhe filmat

Dikur ishin telenovelat meksikane apo ato të tregut latin në përgjithësi, që rrëmbyen zemrën e shqiptarëve, pastaj për disa vite telenovelat braziliane u kthyen në qendër të vëmendjes. Tek-tuk, edhe disa shpërqendrime nga Greqia e më vonë India vulosi suksesin e saj në tre-katër sezone. Ato që nuk po humbasin shkëlqimin ndër vite, edhe pse u bë kohë tashmë, janë telenovelat turke, sidomos ato me sfond historik. Lider në gjithë këto blerje ka qenë televizioni Klan, që edhe për këtë sezon duket se do të ketë disa prej titujve më të fundit.

Albert Dumani, i cili kujdeset edhe për blerjet, nënvizon se të paktën dy prej serialeve turke janë historikë. “Kryeqyteti: Abdulhamid. Do të jetë premierë pas përfundimit te Sulltanesha Kosem. Po ashtu vjen Mehmed Pushtuesi. Seriali më i kushtueshëm i të gjitha kohërave pasqyron jetën dhe triumfin e Sulltanit Mehmed, i pari sulltan që pushtoi “zemrën e botës”, Kostandinopojën (Stambolli i sotëm)” nënvizon Dumani.

Një vit më parë, një problem ishte konkurrenca që kishin televizionet në vend nga platformat ndërkombëtare si Netflix. E kur nuk mund t’i konkurrosh, atëherë më mirë bëhu pjesë e rrymës. Kjo duket se ka ndodhur këtë sezon me TV Klan, që ka blerë disa prej serialeve të platformës Netfix ku, mes të tjerave, edhe “House of Cards”.

Edhe Vizion Plus i konsideron telenovelat turke si një pikë të fortë për tërheqjen e audiencës. “Ato kanë ndikim të jashtëzakonshëm te shikuesit, që duket se gjejnë veten në secilën prej tyre”, thotë Fatos Risto, Koordinator i Programeve dhe Prodhimit në Vizion Plus.

Top Channel, nga ana e tij, duket se qëndron i palëkundur në mosorientimin drejt serialeve turke. “Aktualisht jemi në negociata me kompanitë e mëdha si ABC/Walt Disney, NBC/Universal, Fox 20th Century për blerjen e serialeve”, sqaron Vjollca Dedei, drejtore e Programacionit.

RTSH, nga ana tjetër, është në negociata për një serial turk, ndërkohë që një tjetër do ta marrë nga BBC si pjesë e marrëveshjes që ka televizioni publik.

Lojëra, kuize, humor me shumicë, shtohet numri i kësaj kategorie programesh

Top Channel do të vijojë të sjellë humorin përmes “Portokallisë” ndërkohë që televizioni Klan ka vendosur të shtojë arsenalin me një tjetër emision humori. Përveç “Xing me Ermalin” shtohet edhe “Duplex” nga një kastë aktorësh humori që lanë “Apartamentin 2xl” në Vizion Plus. Ky i fundit, edhe pas këtij largimi ka “Al Pazar”, si dhe një emision satirik nga Agim Bajko, “Bypass Show”.

Në total duket se ka një ofertë të gjerë për të zgjedhur nga emisionet e humorit, ashtu sikurse në këtë sezon duket se ka një “breshër” kuizesh dhe emisione me lojëra. Për shembull, Top Channel do të ketë game show-n “Dilema: Deal or no Deal” (Dilema: Pakt apo jo) sakaq blerja e re e TV Klan, Turjan Hyskaj do të ketë një emision të vetin game show “Familja”, ku familje të ndryshme së bashku me fëmijët konkurrojnë mes tyre, në lojëra të ndryshme.

Pas largimeve drejt TV Klan, Fatos Risto, Koordinator i Programeve dhe Prodhimit në Vizion Plus, pohon se po punohet për një show tërësisht i ri. “Për të ruajtur traditën e së premtes mbrëma, është menduar një produksion që nuk mund t’i qëndrosh indiferent, plot emocione, kostume, popullaritet e mbi të gjitha argëtim, në një studio të madhe e me spektatorë që bëhen protagoniste të shfaqjes”.
Edhe RTSH ka konceptuar në këtë sezon një game show.

“Është një game show dhe quiz show, edhe ky nuk është zhvilluar më parë. Përfshin në vetvete disa faza konkurrimi. Në një segment luajnë 16 veta që luajnë mes njëri-tjetrit. Për shembull, në ekran mund të shfaqet një produkt i caktuar dhe ty të duhet të gjesh çmimin apo një specifikë tjetër të veçantë. Së dyti është “Burri im është më i mirë se burri yt” apo “Gruaja imë, më e mirë se gruaja jote” ku çiftet do të garojnë mes tyre. Segmenti i tretë i këtij emisioni janë konkurrimet klasë me klasë ose familje me familje dhe ata fitojnë çmime të ndryshme”, sqaron Rezart Aga nga RTSH.

Shqipëria, një ishull për prime-time, ne duam politikë, bota seriale dramë dhe argëtim

Vitin e kaluar, 33% e audiencës amerikane u fokusua te dramat në kohën prime-time, 18% në komedi, 18% në një show reality, 15% në lajme dhe 10% në sport. Mjafton të shohësh këtë shembull për të kuptuar se Shqipëria është si dita me natën për preferencën që ka audienca për atë që do të ndjekë në prime-time. Pothuajse gjithë fashën që konsiderohet si e tillë 21:00-23:00 (gjithsesi prime-time asnjëherë nuk është e ndarë në mënyrë të saktë, sepse disa televizione e konsiderojnë 21:00-22:00) e zënë emisione aktualiteti dhe politike që kanë në thelb debatin. Është pikërisht kjo arsyeja pse pothuajse çdo televizion ka një emision dhe një figurë përfaqësuese që drejton debatin politik.

Por Shqipëria është e çuditshme edhe në raport me vende të tjera. Për shembull, edhe në Britani, në prime-time zakonisht kanë udhëhequr dramat, si dhe emisionet reality apo talent show. E njëjta situatë paraqitet edhe në Itali, në kohën kur arrihet edhe maksimumi i audiencës në transmetim janë emisione të ndryshëm argëtues ose seriale të njohur italianë, që vijojnë për sezone e sezone me radhë, një pjesë e të cilëve janë transmetuar edhe në Shqipëri.

Të ardhurat e televizioneve në rënie, Top Channel mbetet më i madhi

Tregu i televizioneve po gjendet në presionin e ndryshimeve teknologjike, internetit dhe zhvendosjes së preferencave të klientëve drejt shërbimeve alternative. Edhe pa këto ndryshime, tregu i televizioneve në Shqipëri kishte të ardhurat për reklamat për banor më të ulëtat në rajon, në një kohë që rritja e konkurrencës ka shtuar presionin për programe cilësore.

Top Channel ka vijuar dhe për 2017-n të jetë televizioni më i madh në vend nga të ardhurat, me një qarkullim vjetor prej 1.4 miliardë lekësh, me rënie prej 15% me bazë vjetore, duke dalë nga lista e 200 të mëdhenjve. Edhe Televizioni Klan, i dyti më i madh sipas të ardhurave, ka parë rënie të lehtë të qarkullimit vjetor në 2017-n, në 1.15 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1.2%. Në rënie të fortë ishte Media Vizion (Vizion Plus), të ardhurat e së cilës zbritën në 400 milionë lekë, me një tkurrje vjetore prej 15%.(Monitor)

29/09/2018 07:07 AM