A po rriten breza më pak inteligjentë Një studim në Norvegji nxjerr përfundime shqetësuese - Android

Get it on Google Play

A po rriten breza më pak inteligjentë Një studim në Norvegji nxjerr përfundime shqetësuese - Android

Kohët moderne duket se po prodhojnë më pak njerëz të zgjuar. Pikët në testet për llogaritjen e koeficientit të inteligjencës kanë ardhur duke rënë në dekadat e fundit. Duke nisur nga vitet ’70, pikët në këto teste kanë zbritur mesatarisht me 7 të tilla për çdo brez. Ky përfundim ka dalë nga një analizë e […]

Kohët moderne duket se po prodhojnë më pak njerëz të zgjuar. Pikët në testet për llogaritjen e koeficientit të inteligjencës kanë ardhur duke rënë në dekadat e fundit. Duke nisur nga vitet ’70, pikët në këto teste kanë zbritur mesatarisht me 7 të tilla për çdo brez.

Ky përfundim ka dalë nga një analizë e 730 000 testeve të inteligjencës që i përkasin periudhës së viteve 1970-2009. Studimi është kryer nga Bernt Bratsberg e Ole Rogeberg në Qendrën “Ragnar Frisch” për Kërkime Ekonomike në Norvegji.

Studimi i publikuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences” sheh si shkaqe kryesore të kësaj rënieje tendencën e fëmijëve për të lexuar më pak dhe për ta kaluar kohën me videolojëra.

Studime të mëparshme kanë treguar se gjatë shekullit të fundit, koeficienti i inteligjencës (IQ) është rritur, një fenomen i njohur si efekti Flynn, që mund të ketë ardhur falë një sërë faktorësh si: ushqimi më i mirë, përmirësimi i shëndetit dhe edukimi.

Por kohët e fundit duket se tendenca është kthyer në kahun e kundërt. Analizimi i 730 mijë testeve të cilave u janë nënshtruar meshkuj të rinj në prag të hyrjes në shërbimin ushtarak në Norvegji, nga viti 1970-2009, nxori se këto vlera jo vetëm që nuk po rriten më, por kanë filluar të bien brez pas brezi.

Këto rezultate janë konfirmuar edhe nga studime të tjera. Një i ngjashëm është ai i kryer në Britani së fundmi, i cili konstatoi se koeficienti i inteligjencës (IQ) është ulur me 2.5-4.3 pikë çdo dhjetëvjeçar që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Një tjetër studim amerikan ka zbuluar se fëmijët që konsumojnë shumë peshk bëhen më inteligjentë. Por fatkeqësisht kjo lloj diete ushqimore mungon në shumë vende të botës.

Dy autorët e studimit norvegjez, Bratsberg e Rogeberg, shpjegojnë se përveç faktorëve ambientalë, shkak për këtë rënie  mund të jenë edhe ndryshimet në stilin e jetës dhe sistemet edukative, krahas tendencës së fëmijëve për të zgjedhur videolojërat para librave.

Përgatiti: Gazmira Sokoli

13/06/2018 07:29 PM