Banka që bojkotoi “Facebook”-un - Android

Get it on Google Play

Banka që bojkotoi “Facebook”-un - Android

Banka më e madhe në Itali, UniCredit, nuk reklamon asnjë nga shërbimet e saj në rrjetin social “Facebook” që prej marsit të këtij viti. Ajo e ka argumentuar këtë vendim me sjelljen joetike të rrjetit social në lidhje me skandalin e përdorimit të të dhënave, ku u përfshi së bashku me kompaninë “Cambridge Analytica”. Por […]

Banka më e madhe në Itali, UniCredit, nuk reklamon asnjë nga shërbimet e saj në rrjetin social “Facebook” që prej marsit të këtij viti. Ajo e ka argumentuar këtë vendim me sjelljen joetike të rrjetit social në lidhje me skandalin e përdorimit të të dhënave, ku u përfshi së bashku me kompaninë “Cambridge Analytica”.

Por edhe pse një vendim i marrë prej disa muajsh, ai u zbulua dje nga shefi ekzekutiv i kësaj banke, Jean-Pierre Mustier, pasi një gazetar e pyeti nëse banka që ai drejton e ka pranuar kërkesën e “Facebook”-ut për të ndarë të dhënat e klientëve me të.

Një pyetje e tillë u nxit nga një artikull i publikuar në fillim të javës nga “The Wall Street Journal”, ku zbulohej sesi Facebook-u uka kërkuar bankave të mëdha amerikane akses në informacionet financiare të klientëve të tyre, përfshirë transaksionet përmes kartave të kreditit apo kontrollet e balancës. Rrjeti social e ka motivuar këtë kërkesë me punën që po bën për t’u orfuar përdoruesve shërbime të reja.

Mustier thotë se banka që ai drejton nuk ka ndërmend t’ia japë këtë lloj informacioni “Facebook”-ut dhe as nuk do t’i reklamojë shërbimet e saj në të përsa kohë nuk përmirësohen standardet e etikës.

Një zëdhënës i Unicredit tha se banka ka ndaluar publicitetin në “Facebook” pasi në media u raportua mbi lidhjet e rrjetit social me “Cambridge Analytica”.

Por në “Facebook” nuk shqetësohen shumë për këtë. “Disa prej reklamuesve tanë i kanë pezulluar reklamat, por shumë të tjerë kanë shprehur mbështetjen për hapat që ne po ndërmarrim për të  mbrojtur të dhënat e njerëzve. Ne po punojmë me partnerët për t’i bërë platformat tona edhe më të sigurta”, ka thënë një zëdhënëse e rrjetit social.

“Facebook” përballet me disa hetime mbi lidhjet me kompaninë “Cambridge Analytica”, e cila arriti të marrë nga rrjeti social të dhënat e 87 milionë përdoruesve pa miratimin e tyre.

Ndërkohë, Unicredit ka disa faqe në “Facebook”, por i përdor ato vetëm për të komunikuar me klientët dhe jo për të reklamuar.

Unicredit është banka më e madhe në Itali, përsa u përket aseteve. Ajo operon në disa vende të Europës, përfshirë edhe Rusinë, por ka një prezencë të vogël në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

08/08/2018 05:57 PM