Në 50-vjetorin e zbarkimit të njeriut në hënë: kujtime, përshkrime e rrëfime nga Zenun Çelaj, gazetar, Sala Ahmeti-Çitaku, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Kadriu, shkrimtar, Nehat Islami, gazetar, Enver Hasani, profesor i drejtësisë, Azem Vllasi, politikan dhe avokat, Bardhyl Oseku, poet.
Nga Enver Robelli
Më 21 korrik 1969 gjysmë miliardi njerëz panë imazhet e para nga hëna të incizuara me një kamerë të thjeshtë. Shihej astronauti Neil Armstrong duke u shkëputur nga anija kozmike «Eagle» (Shqiponja). Pasi vuri këmbët në hënë, ai i tha fjalët e famshme: «That’s one small step for a man, one giant step for mankind.» (Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap i madh për njerëzimin). Në romanin e tij fantastik «Secili çmendet simbas mënyrës së vet» shkrimtari shqiptar Stefan Çapaliku përshkruan një skenë nga një shtëpi në Shkodër, ku ishin mbledhur shumë njerëz për të parë në televizor këtë ngjarje epokale.
Mes të pranishmëve ishte edhe një kuadër vigjilent komunist. Ai vazhdimisht u thoshte të pranishmëve se misioni amerikan në hënë do të dështojë. Për komunistët shqiptarë Amerika ishte djall dhe kundërshtar i madh ideologjik. Kur zbarkimi në hënë s’mund të injorohej më si fakt, komunisti shqiptar tha pak a shumë këtë: e shihni, njerëz, njeriu arriti në hënë, por ku është zoti? E shihni që nuk ka zot? Dy vite më parë, më 1967, Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, andaj zbarkimi në hënë përdorej edhe si dëshmi se zoti nuk ekziston.
Numër special i «Rilindjes»
Për të informuar sa më shpejt lexuesit e vet, mbi misionin e suksesshëm të «Apollo 11», gazeta «Rilindja» më 22 korrik 1969 botoi një numër të posaçëm kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. «Ekipi gazetaresk i përbërë prej tre gazetarëve të udhëhequr nga Maksut Shehu punoi tërë natën palodhshëm vetëm e vetëm që lexuesit e gazetës të mund të informoheshin të njëjtën ditë mbi hapat e parë të njeriut në hënë», shkruan në monografinë e botuar më 1985 me rastin e 40-vjetorit të botimit të gazetës «Rilindja».
Në numrin e 22 korrikut të gazetës «Rilindja», të digjitalizuar nga punëtorët e mrekullueshëm dhe shumë bashkëpunues të projektit Bibliotekaria, dominon titulli: «Njeriu pushtoi hënën». Entuziazmi është pothuaj i pafrenueshëm, njeriu shkeli në hënë, gjithçka shkoi në mënyrë të «përsosur, fantastike». Krejt kjo ngjarje përshkruhet në 7 faqe gazetë. Së fundi shkrimtari dhe ish-gazetari i «Rilindjes», Veton Surroi, ka botuar një roman me titullin: «Fshehtësia e zbulimit të Hanës».
Në vijim po sjellim kujtimet e disa personaliteteve kosovare që e kanë përjetuar zbarkimin në hënë. E fillojmë me gazetarin veteran, kronistin dhe dëshmitarin e historisë bashkëkohore të Kosovës, Zenun Çelajn.
ZENUN ÇELAJ
«Ishte paralajmëruar se do të ndodhte mrekullia, e pabesueshmja. Njerëzit do të zbrisnin në hënë. Nëna ime, një besimtare e bindur myslimane, sado emri Sofije nuk sugjeronte se cilës fe mund t’i takonte, do të reagonte si me të qeshur, por e dija se ashtu mendonte, ‘hiqu tyre, rrejnë si për shumëçka’. Unë, megjithatë, prisja me kureshtje të shihja nëse do të isha dëshmitar, bashkë me qindra miliona njerëz të tjerë të planetit, të këtij hapi të njeriut, që mund të ndryshonte filozofinë e jetës së njeriut. Ishte njëfarë gare midis Lindjes, të cilës i përkiste ideologjikisht edhe vendi e shoqëria në të cilën jetoja atëherë – pra Jugosllavia socialiste, dhe Perëndimit – ku ne, shqiptarët e Kosovës, heshtazi varnim shpresën se nga andej do të na vijë liria. Tani kjo tingëllon patetike, por kështu ishte.
Ishte verë dhe sa isha kthyer nga pushimi. Një ditë më pas, më 16 korrik 1969, lajmi se amerikanët do të ishin ata që të parët do të shkelnin në hënë kishte pushtuar gazetat, radiot dhe ato pak studio televizive që funksiononin. Edhe në Kosovën më të varfër në gjithë kontinentin tonë, në Europë, atëherë kishin ardhur televizorët e parë në teknikën bardhë e zi, dhe jo shumë qytetarë të saj kishin privilegjin t’i shikonin programet në shtëpitë e tyre.
Ndër ta edhe unë, sigurisht meqë isha gazetar gati një dekadë, e kisha blerë një me kredi, prodhim i ‘Gorenjes’ së Sllovenisë. Katër ditë pasi tre astronautët amerikanë ishin nisur drejt hënës, dy do të zbrisnin në të – Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin. Michael Collins i priste në kapsulën e raketës. Dhe atë ditë a natë i ishim qepur ekranit, përveç familjarëve –bashkëshortes, që ishte profesoreshë e gjuhës, djalit një vjeç e gjysmë që me siguri nuk kuptonte çfarë po ndodhte, kishin ardhur edhe fqinj të tjerë të shumëkatëshes, të cilët nuk kishin televizor, ku isha vendosur një vit më parë, në Ulpianë (Prishtinë). Banesën ma kishte blerë ‘Rilindja’, ku punoja që nga fundmaji i vitit 1960, gazetar.
Ndërsa ne, që ishim të arsimuar, ishim bërë sy e vesh që të mos na kalonte pa parë asgjë në atë 21 korrik të vitit 1969, të vetëdijshëm se po ndodhte historia, por nëna ime vazhdonte të ishte mosbesuese dhe seç pëshpëriste me vete në gjuhën që as vetë nuk e kuptonte, sigurisht lutje në gjuhën e arabit Muhamed. Nuk më kujtohet me saktësi ç’kohë ishte, kur ‘TV Beogradi’, që asokohe ishte mediumi i vetëm televiziv edhe për shikuesit e pakët shqiptarë në Kosovë, sepse nuk kishin televizorë, ndonëse nuk fliste në gjuhën e tyre, transmetonte pamje nga aterrimi i sondës ‘Apollo 11’ në hënë me tre astronautët brenda.
Pastaj ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Njeriu i parë zbriti në hënë. Ishte Neil Armstrong. U përpoqa ta mbaja në mend përgjithmonë emrin e njeriut që po shënonte historinë dhe nuk e harrova kurrë. Pas tij doli edhe Buzz Aldrin. Lëvizjet e tyre, peizazhi që i rrethonte, gjithçka dukej e pabesueshme, herë si lojë, herë si një ëndërr. Njëri prej tyre, astronauti Armstrong do të shqiptojë atë fjalinë sa të thjeshtë aq domethënëse, filozofike: ‘Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap i madh për njerëzimin’. Që të nesërmen e atij zhvillimi historik do të shfaqen mendime e teori mohuese për sa kishte ndodhur. Edhe nëna ime, besimtarja në Zotin e saj, ka vdekur e pabindur se njeriu kishte shkelur në hënë, me të cilën ajo e kishte matur kohën në tokë, ndërsa unë vazhdoj të pres ta shoh njeriun në mars, ose të takoj një ditë jashtëtokësorët misteriozë».
SALA AHMETI-ÇITAKU
«Unë me babën kemi shkuar në Runik me e pa në televizor këtë ngjarje, sepse ne ende nuk e kishim ble televizorin dhe në Radishevë nuk kishte askush aparat televiziv. Sa më kujtohet mua ka qenë mbrëmje. Kur e kemi parë jo vetëm mua por edhe shume njerëzve të tjerë që kishin ardhur në Runik për ta parë zbarkimin në hënë, na dukej si diçka e pamundur dhe e pabesueshme, diçka e çuditshme dhe e habitshme njëkohësisht. E kemi shikuar me kureshtje të madhe dhe mua asnjëherë nuk me largohet nga mendja ajo pamje dhe ai imazh. Për të shkuar në Runik kemi ecur nja një orë këmbë nëpër mal. Gjithmonë i kam parasysh pamjet kur ka zbritur Neil Armstrong që dukej sikur pamje e një shkretëtire ku një njeri i veshur me rroba të veçanta zbriste sikur kur je në ajër dhe shumë ngadalë, shumë lehtë, të dukej sikur nuk ka ekuilibër dhe çdo moment mund të rrëzohej. Më vone e kam kuptuar se ajo mënyrë e lëvizjes ka qenë për arsye se pesha e tij ka ndryshuar».
IBRAHIM KADRIU
«Atë ditë korriku, po e quaj ditë të veçantë, isha në Kamenovë, në pushimoren në Mal të Zi që aso kohe ishte e gazetës ‘Rilindja’. Në të vërtetë isha në rrugë për në Pulla, ku shkoja në cilësinë e përcjellësit të festivalit të filmit (që mbahej nga 26 korrik deri më 2 gusht dhe që ishte ngjarja më e rëndësishme kulturore në Jugosllavinë e atëhershme. Rreth asaj ngjarje që konsiderohej si pushtim i hënës, nuk kishte ndonjë paralajmërim, pos rivalitetit mes amerikanëve dhe rusëve përmes arritjeve teknologjike, se cili nga këto shtete bënte hapin e parë drejt ndonjë shpikjeje në fushën e armatimit dhe në operimet në gjithësi. Atë ditë kur u hodh hapi i parë i njeriut në sipërfaqe të hënës, pra më 21 korrik 1969, isha pranë valëve të detit në Kamenovë, kur dëgjova thirrjen të shkoja pranë televizorit të shihej realiteti i ngjarjes që mund të ishte vetëm si imagjinatë.
Në atë rast kam qenë si në hipnozë, ashti siç ishin edhe të tjerët, pavarësisht se ishte njeriu i gjallë që lëvizte me ngadalë, kisha mëdyshje, a mos ishte ndonjë magji, ndonjë kamerë e fshehur. Në atë moment m’u kujtua Federico Garcia Lorca, poema e tij ‘Romance de la Luna, Luna, Luna’, dhe poetët tjerë të cilët hënën e kishin strehë të përhershme në virgjërinë e saj, të pa ndotur nga duhma e njeriut; e kishin mbështetjen më të mirë kur në tokë shkrumboheshin të mbetur peng i ndjenjave të dashurisë. E tash, pra, e shihja hënën e rrëmbyer dhe, i emocionuar, si poet në ditët e rinisë, me një ndjenjë revolucionari, më erdhi ideja ta shkruaja një vjershë protestë dhe i shënova vargjet në mbështjellësen e shishes së birrës:
‘Soji i njeriut ta humbi virgjërinë, Hënë, / Edhe fama jote më s’ju hyn në punë poetëve, / Që fshiheshin te ti, sa herë kishin dhembje zemre, / E mbetnin të shkretë pa dashurinë e ëndërruar. // U mbajte trimëreshë veç për etjet e të tjerëve / Ti hënë e shtrirë nën peshën e këmbës së njeriut / Që t’i humbi sekretet e ruajtura në mileniume’.
Nuk di pse, por këto vargje nuk i kam botuar në asnjë përmbledhje poezish. Tash vonë e kam gjetur atë copë etikete duke shfletuar ‘Një fyell ndër male’ të Martin Camajt.
Në ato çaste të përhapjes së lajmit për zbritjen e Neil Armstrongut mbi sipërfaqe të hënës, ishte mosbesimi. Më vonë kam kuptuar se mosbesimi ishte gjithkund, mbase ishte edhe shtytje të thuhet se amerikanët, për të qenë të parët vizitorë të hënës, e kanë improvizuar një natyrë të tillë diku në Arizonë dhe e kanë bërë xhirimin. Natyrisht se këso përfundimesh, hamendjesh, ngjallin pesimistët, që të mos them bjerrakohës.
E them këtë, duke pasur parasysh angazhimet e hulumtuesve të gjithësisë, shumë vite më parë para se të arrihej suksesi i ‘Apollo 11’. Meqë ra fjala, më duhet të them se në Chicago, shumë vite më vonë, më rastisi të gjendesha në Muzeun e Shkencës dhe të Industrisë dhe, me atë rast, e pashë modulin ‘Apollo 8’ i cili, siç dihet, më 1968, një vit para se të pushtohej hëna, për të parën herë në historinë e njerëzimit i qe sjellë hënës dhjetë herë. Ai modul ishte në muze, i rrethuar me qelq. Aty ishin edhe veshmbathjet e astronautëve me ‘trohet’ e ushqimit të mbetur të astronautëve, etj.»
NEHAT ISLAMI
«Në ditën kur në tokë arriti lajmi se Misioni ‘Apollo 11’, aterroi në hënë kam qenë në Prishtinë. Më kujtohet se gjendesha në një kafene, që sot nuk ekziston më, afër Teatrit Kombëtar. Ka qenë afër Sylës, ku pos gazetarëve kishte edhe qytetarë të tjerë, të cilët i bashkonte mezeja e bollshme, ndërsa shishet e birrës as që numëroheshin. Në atë atmosferë gazmore, hyri Veli Vraniqi, kolegu ynë shumë i dashur, dhe na e kumtoi lajmin se njeriu shkeli në hënë. Këtë lajm e kishte dëgjuar nga bashkëshortja që punonte në Radio Prishtinë.
Më kujtohet se si me ndonjë komandë të padukshme, njëherë mbretëroi qetësi, u ndërprenë të gjitha bisedat e ndryshme që zhvillonte secila tavolinë dhe filluan diskutimet vetëm për këtë temë: njeriu në hënë.
Disa ishin skeptikë se bëhej fjalë për një lajm të vërtetë, sepse na gjeti të papërgatitur, ndonëse kishim dëgjuar se ‘Apollo 11’ ishte nisur drejt hënës. Secili kishte mendimin e vet, por më të shumtë ishin ata që besonin se lajmi ishte i vërtetë, por pa e pa në televizor asgjë nuk dihet. E ditari ishte në 19:30.
Më kujtohet komenti i poetit Mirko Gashi, i cili ishte ulur në një tavolinë vetëm: ‘O Armstrong, të raftë pika. Na e vodhe simbolin dhe metaforën e poetëve të mbarë botës. Tani do ta shohim se hëna nuk është aspak romantike, por një planet me pluhur’.
Duke mos qene ende të bindur se vërtetë njeriu shkeli në hënë, njerëzit iu kthyen temave tokësore».
ENVER HASANI
«Zbarkimi i njeriut në hënë bën pjesë në ato momente yje të njerëzimit, siç do të thoshte Stefan Zweig, momente definuese që tejkalojnë gjeneratën që përjeton diçka të tillë për t’u rrënjosur thellë në memorien kolektive të krejt njerëzimit. Nuk ka rëndësi që më pastaj gjeneratat tjera që vijnë momentet e tilla i marrin si të mirëqena, sikur diçka që ka qenë e gjykuar për të ndodhur, si një gjë krejt normale, gati-gati si një moment i ndodhur me vonesë si pasojë e padijes së gjeneratave të mëhershme. Kështu, ta zëmë, në vijim të kësaj, ne sot e marrim si të mirëqenë se televizioni ka ekzistuar që nga kohërat e hershme, ndërkohë që nuk e kuptojmë kurrë transformimin që ka bërë përdorimi i tij që nga shpikja e deri më sot. E njëjtë është edhe puna me rrymën elektrike, e tillë do të jetë puna e internetit të cilin si gjeneratë jemi të bekuar që të parët e provuam.
Kur njeriu zbarkoi në hënë, kam qenë fëmijë, nxënës i klasës së tretë fillore. Ndër preokupimet kryesore që kemi pasur si gjeneratë ka qenë mësimi përmendësh i këngës së flamurit. Kjo sepse prindërit na paguanin me para, për të na joshur në mësimin e atij teksti që ishte tërësisht i huaj për gjeneratën tonë: kishte rënë diktatori serb, famëkeqi Aleksandër Rankoviq, hapja e Universitetit të Prishtinës dhe fitimi i republikës dukeshin si gjëra të kryera. Ndërkohë që e dyta dështoi, për arsye që këtu fare nuk kanë rëndësi, hapja e Universitetit u bë realitet pak vite më pas, pastaj u miratua Kushtetuta e vitit 1974, një simbol i ri i mëvetësisë administrative, ekonomike dhe kulturore të Kosovës nga Serbia.
Në këtë kontekst të çuditshëm socio-politik të Kosovës, që sapo kishte dalë nga terri i imponuar serb dhe po përjetonte renesancën e vet të vërtetë, duke tërhequr me vete krejt etnosin shqiptar në ish-Jugosllavi, gjenerata ime pati rast të dëgjojë atë që dukej si përrallë – zbritjen e njeriut në hënë. Duket e tillë sepse struktura arsimore e shqiptarëve ishte e mjerueshme, me një mentalitet tërësisht feudal mesjetar, feudale pa feude dhe pa kulakë. Rolin kryesor në ndërtimin e bindjeve dhe pikëpamjeve mbi shoqërinë akoma e kishin hoxhallarët dhe ‘institucioni’ që akoma në mënyrë naive cilësohet si ‘universitet’ – oda. Ndërkohë që diskursi zyrtar me entuziazëm theksonte këtë arritje kolosale të njerëzimit, debati ndër shqiptarët ishte shterp në shumë kuptime: kleri mysliman (por edhe ai kristian i proveniencës serbe) dhe në përgjithësi njerëzit religjioz, që ishin dominues në atë kohë, këtë lajm e cilësonin si një ‘fake news’, në kuptimin e sotëm, si diçka që ishte prodhuar në mënyrë fiktive nga ‘kutia e djallit’, siç quhej televizioni nga kjo kategori njerëzish, kurse diskursi zyrtar zbarkimin në hënë e merrte si kurorëzim të politikës së vet ateiste.
Në fakt, krejt debati që bëhej, për aq sa ne mund të merrnim vesh si fëmijë që ishim (edhe po të ishim më të rritur nuk kishim asnjë ndikim meqë detyra jonë ishte që në ‘odë’ të zbraznim tavllat e duhanit dhe të shërbenim ujë), sillej rreth tezës së ekzistencës së zotit: religjiozët e merrnin këtë si një gënjeshtër të kulluar, ani se aty-këtu kishte asi që besonin në këtë arritje të njerëzimit dhe e shihnin si konfirmim të ekzistencës së zotit sepse, siç e thoshin, ai na ka dhënë mendjen dhe dijen për të zbarkuar atje, kurse tjerët si triumf të progresit dhe ideologjisë së komunizmit që bazohet në ligjshmërinë dialektike materialiste të historisë njerëzore.
Nëse shikohet në retrospektivë, nuk del se ka ndonjë rëndësi se kush çfarë pozicioni ka mbajtur, sepse, fundja, vetë Albert Einstein, ikona e dijes së sofistikuar mbi universin, ka konstatuar se njeriu nuk duhet të jetë i sigurt nëse zoti vërtetë nuk ekzistonte. Për mua dhe fëmijët e brezit tim, as kjo nuk kishte ndonjë rëndësi: krahas zbrazjes së tavllave dhe shërbimit të ujit, kishim edhe një hall tjetër: si t’i bënim paratë për të shkuar në vikend në ‘bioskop’, siç e quanim kinemanë në atë kohë. Pak kishte rëndësi nëse njeriu kishte zbritur në hënë: mbi 90 për qind e popullit ishte analfabet, elektrifikimi akoma ishte në start kurse pjesa dërrmuese e popullit vuante nga zgjeba e mungesa e ujit të pijshëm. Ka edhe shumë gjëra tjera që ne si fëmijë i vuajtëm dhe pak, shumë pak, u gëzuam dhe kuptuam rëndësinë e zbritjes së njeriut në hënë.
AZEM VLLASI
«Isha në vendlindje pas afatit të provimeve nga viti i parë i studimeve. Nuk di si, por e dinim se në mbrëmje në televizion do të shohim zbarkimin e dy astronautëve amerikanë në hënë. Me disa shokë u morëm vesh që këtë ngjarje ta përcjellim bashkë pranë një aparati televiziv që ishte në sallën e vogël të shtëpisë së kulturës në Kamenicë i instaluar enkas për këtë rast. Kishin ardhur aty edhe goxha njerëz, kryesisht të rinj. Thuhej se transmetimi do fillonte nga ora 21:00. Ishte vetëm një kanal televiziv, ai i Beogradit. Njëfarë Jaqki, i cili në rastet tjera i lëshonte filmat në sallën e kinemasë, më shpesh i dehur sesa esëll, hapi aparatin bardh e zi dhe na u kërcënua që të jemi të qetë. Fotografia bardh e zi ishte e dobët. Pas goxha disa skenave tjera u dëgjua zëri i spikerit: ‘Tani do të shohim zbarkimin e astronautëve në hënë!’. Shihej zbarkimi në sipërfaqen e hënës.
Pas goxha një kohe pritjeje hapej përfund njëfarë kapaku teposhtë. Pastaj u panë këmbët e astronautit të parë duke dalë nëpër një si shkallë e shkurt dhe duke shkel në hënë. Me sa me kujtohet zëri i spikerit thoshte se ky është Neil Armstrog. Pas ca kohe doli edhe tjetri. Ne shikonim me sy të hapur, nuk dëgjohej as frymëmarrje. Pastaj ata nisën të ecin disi si duke kërcyer lehtë. Sikur të kishin peshën e një pule, me hapa po ashtu të pulës. Pas pak pati një ndërprerje në ekran. Kur vazhdoi ajo që shihnim, njëri prej tyre me lehtësi nguli një flamur amerikan dhe pas pak filluan të kthehen drejt anijes kozmike. Aty u ndërpre transmetimi. Kureshtja jonë që të shohim se çka po ndodh tutje nuk kishte fund. Mbetem gojëhapur. Jaqki pas pak u afrua dhe fiku televizorin, me zë të lartë na tha: ‘Sikter, deco’. E lutëm të na lejojë të qëndrojmë edhe pak, donim të dinim mos po ndodh diçka. ‘Mos po doni edhe veten ta shihni atje’ – na bërtiti dhe ne dolëm. Ishte gati 11 e natës. Ishim aq te mahnitur, saqë as komente nuk kishim. Deri vonë pas mesnate nuk më zuri gjumi duke menduar për atë që pashë.»
BARDHYL OSEKU
«Mirë më kujtohej ajo ditë vere. Isha student i vitit të parë. Isha ftuar në dasmë. Martohej një djalë nga farefisi im. Dasma mbahej në oborr. Në mbrëmje nisi muzika. Valles së dasmorëve iu bashkëngjitën dhëndëri me nusen. Nata ishte e qetë. Qielli ishte i kthjellët. Shpeshherë ia hidhja shikimin hënës. Me vete i thosha: si po ndihesh sonte me mysafirët e paftuar nga toka? Tek ajo nuk vëreja asnjë ndryshim. Ndryshimi kishte ndodhur tek unë. Ndihesha shumë i pafuqishëm, i flashkët, pezull, ndërmjet tokës dhe qiellit…».
05/07/2019 10:55 AM
05/07/2019 08:00 PM
05/07/2019 08:29 AM
05/07/2019 06:39 PM
2014 © Aplikacionet dhe lajme për Shqipërinë