Kina do të lëshojë një satelit në hapësirë që do të marrë përsipër detyrën e një “Hëne artificiale” dhe do të pasqyrojë dritën e Diellit në Tokë.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve, Hsinhua, sateliti që do të ndërtohet në qytetin Chengdu të provincës Sichuan, do të përfundojë deri në vitin 2020 dhe do të mbartë pasqyra gjigante për të përcjellë dritën e Diellit, raporton ata.
Shefi i Institutit për Kërkime të Sistemit Hapësinor, në këtë qytet, Wu Chunfeng, tha se të gjitha punimet rreth satelitit do të kryhen deri në vitin 2020.
Wu tha se drita që do të pasqyrohet do të ndriçojë një sipërfaqe prej 3 600 deri në 6 400 kilometra katrore.
Sipas tij, intensiteti i rrezatimit pritet të jetë tetë herë më i shndritshëm se ai i Hënës.
“Hëna artificiale do të vendoset në një orbitë me largësi prej 500 kilometra nga planeti Tokë”, tha Wu.
Më parë, edhe Rusia ka pasur punime përsa i përket “Hënës artificiale”, por për shkak të problemeve teknike nuk arriti sukses.
20/10/2018 11:11 AM
2014 © Aplikacionet dhe lajme për Shqipërinë