WannaCry, një virus kompjuterik që krijon të dhëna dhe kërkon shpërblim për t’i fshirë, goditi mijëra kompjutera në maj të 2017-s, çka bëri që disa spitale në Britani të detyroheshin të mbyllnin dyert.
Tashmë, vështirë se mund të kalojë një javë pa u u njoftuar nga ndonjë kompani e madhe kompromentimi i sistemit të saj. Dy vjet më parë, Yahoo pranoi se 1 miliard llogari të saj ishin kompromentuar nëpërmjet një sulmi në vitin 2013. Sulmet kibernetike mund të duken fenomen i kohëve moderne, por historia e tyre shkon mbrapa në kohë më shumë se ju mund ta mendoni.
Rrjeti i parë kombëtar i të dhënave në botë u ndërtua në Francë gjatë viteve 1790. Ishte një sistem mekanik telegrafik, i cili konsistonte në një zinxhir kullash, ku secila prej tyre kishte një helikash të lëvizshme druri në majë. Konfiguracionet e ndryshme të këtyre helikave korrespondonin me shkronja, numra dhe simbole.
Operatorët në secilën kullë kishin për detyrë t’i rregullonin këto helika, në mënyrë që ato të përputheshin me konfigurimin e kullës më të afërt, pas vëzhgimit me anë të një teleskopi. Mesazhet në këtë mënyrë mund të shpërndaheshin më të shpejt se letrat, duke kaluar nga njëra anë e Francës në tjetrën për pak minuta.
Rrjeti ishte i rezervuar vetëm për përdorim qeveritar, por në vitin 1834, dy bankierë, François dhe Joseph Blanc, krijuan një mënyrë për ta çorientuar këtë lloj komunikimi.
Vëllezërit Blanc tregtonin obligacione qeveritare në qytetin e Bordosë, ku informacionit rreth lëvizjeve të tregut i duheshin disa ditë për të mbërritur nga Parisi me postë. Prandaj, tregtarët që mund të merrnin informacionin më shpejt, mund të fitonin para duke i bërë më herët lëvizjet e duhura.
Disa u përpoqën ta bënin këtë duke përdorur lajmëtarë apo pëllumba, por vëllezërit Blanc gjetën një mënyrë për të përdorur linjën telegrafike. Ata paguan operatorin telegrafik të qytetit Tours për të futur qëllimisht gabime në mesazhet rutinë të qeverisë që dërgoheshin në rrjet.
Sistemi i kodimit të telegrafit përfshinte një simbol “backspace” që udhëzonte marrësin të injoronte karakterin e mëparshëm. Shtimi i një karakteri të rremë që tregonte drejtimin e lëvizjes së tregut të ditës së mëparshme, pasuar nga një hapësirë, nënkuptonte se teksti i mesazhit nuk ishte ndikuar kur ishte shkruar dhe ishte nisur.
Por ky karakter shtesë shihej nga një bashkëpunëtor tjetër: një ish-operator telegrafi, i cili e vëzhgonte kullën telegrafike jashtë Bordosë me një teleskop dhe më pas ua dërgoi lajmin vëllezërve Blancs. Mashtrimi u zbulua vetëm në vitin 1836, kur operatori u sëmur dhe ia tregoi hilenë një mikut të tij, të cilit mendonte t’i linte vendin.
Vëllezërit Blanc u hodhën në gjyq, megjithëse nuk mund të dënoheshin, sepse nuk kishte ligj kundër keqpërdorimit të rrjeteve të të dhënave. Por keqpërdorimi i rrjetit francez të komunikimit nga vëllezërit Blancs cilësohet si sulmi i parë kibernetik në botë.
E gjithë kjo mund të na shërbejë si leksion në kohën kur ne përdorim gjerësisht komunikimin online. Leksioni i parë ka të bëjë me shmangien e vetëkënaqësisë. Ndërhyrjet në rrjet (si rasti i Yahoo-së) shpesh kalojnë pa u vënë re për shumë vite dhe shumë prej tyre (ndoshta shumica) nuk zbulohen kurrë.
Viruse si WannaCry përfundojnë në titujt e mediave sepse efektet e tyre janë kaq të dukshme, por kjo nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrë e pasaktë e përmasave të problemit që paraqet siguria kibernetike. Shumica e sulmuesve, si vëllezërit Blancs, nuk e reklamojnë praninë e tyre.
Së dyti, pavarësisht nga teknologjia, siguria është si një zinxhir dhe njerëzit janë gjithmonë hallka më e dobët. Sistemi telegrafik francez sot na duket krejtësisht i pasigurt, për shkak të kullave të ekspozuara para syve të të gjithëve. Por dobësia e tij kryesore ishte dështimi njerëzor, diçka që mbetet rrezik edhe sot. Përqendrimit te siguria si një sfidë teknologjike i shpëton një pjesë e rëndësishme e panoramës: ajo varet nga incentivat e duhura sociale dhe ekonomike.
Përfundimisht, sulmet në rrjet janë po aq të vjetra sa vetë rrjetet. Rasti i vëllezërve Blanc na mëson se pavarësisht çdo shpikjeje të re, njerëzit gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për ta përdorur në mënyrë keqdashëse. Ky është një aspekt i përjetshëm i natyrës njerëzore dhe nuk është diçka të cilën duhet apo mund të presim ta rregullojë teknologjia.
The Economist-TemA TV
27/03/2019 08:06 PM
27/03/2019 01:26 PM
27/03/2019 05:04 PM
27/03/2019 03:46 PM
27/03/2019 08:50 AM
27/03/2019 08:37 AM
2014 © Aplikacionet dhe lajme për Shqipërinë