Platformat e shitjeve online janë ndoshta “shpikja” më e suksesshme në fushën e tregtisë. Aty mund të zgjedhësh produktin që të duhet dhe që të leverdis. Shpesh marka të falsifikuara në Kinë shiten në platforma si Alibaba, gjiganti i tregtisë online me rreth 60 000 punonjës dhe me një vlerë prej 450 miliardë dollarësh në bursë. Çdo ditë, vetëm në Kinë, Alibaba dorëzon 30 milionë pako dhe proceson 832 milionë kërkesa për blerje. Aty mund të gjesh gjithçka, që nga veshjet e ushqimet, te pjesët e këmbimit, orenditë për shtëpi, ilaçet apo pajisjet elektronike. Vetëm në 24 orë, vlera e shitjeve arrin në 25 miliardë dollarë. Në Kinë, 500 milionë njerëz janë përdorues të rregullt të këtij rrjeti. Nëpërmjet DHL-së, Kina shpërndan në këtë mënyrë artikuj në të gjithë botën. Doganat rrallë ushtrojnë kontrolle në një pako të vetme ku gjendet produkti i porositur. Shumë vende nuk aplikojnë kontrolle nëse mbi pako shkruhet “për përdorim personal”. Kjo do të thotë që nëse fenomeni i falsifikimit nuk ndalet në Kinë, është e pamundur të ndalet më.
Por si mbrohen fabrikat e falsifikimit?
Praktikisht funksionon kështu: në platformat online ku çdo ditë shiten miliona produkte, askush nuk është i detyruar të paraqesë një licencë që i lejon shitjen e produktit të vet. Por si mund të mbrohet, ta zëmë, një sipërmarrës italian, kur zbulon se këpucët që ai prodhon falsifikohen dhe shiten me një çmim shumë herë më të vogël. Ai mund të çojë një ankesë te Alibaba dhe nëse është në gjendje të identifikojë shitësin, ka gjasa që oferta të hiqet nga platforma, për t’u shfaqur dy javë më pas. Ai mund t’u drejtohet autoriteteve kineze (Administratës së Industrisë dhe Tregtisë), e cila zakonisht ka një përgjigje standarde për këto raste: Gjeni një hetues dhe kërkoni fabrikën ku falsifikohet ky mall. Nëse bëni këtë, ne ndërhyjmë.
Praktikisht, nëse marka nuk është regjistruar në Kinë, është e pamundur që reklama të hiqet nga platforma e shitjeve. Ndërkohë, ka gjasa që e njëjta markë të jetë regjistruar nga dikush tjetër, duke ditur që kinezët studiojnë në kohë reale çdo markë që ekziston në tregun ndërkombëtar. Vetëm drejtuesve të dyqaneve online në platformën Alibaba u kërkohet regjistrim, një procedurë që zgjat 2 vjet.
Pse piratët ia hedhin gjithmonë?
Ligji lë hapësira dhe nuk është i qartë as për vetë avokatët. Në fund të fundit, pronarëve të markave nuk u leverdis të nisin procedurat gjyqësore kryesisht për 3 arsye: 1) dëmshpërblimi është shumë i vogël, 2) Alibaba ka resurse pa fund dhe avokatë të njohur që kanë influencë te gjykatat lokale dhe 3) edhe vetë kompanitë duan të shesin përmes grupit Alibaba dhe nëse bëjnë denoncime të tilla, kjo është shumë më e vështirë.
Vitin e kaluar, në një konferencë ku merrnin pjesë qindra biznesmenë, shefi i Alibaba-s, Jack Ma, pranoi se “falsifikimi është kanceri ynë”. Ndodh që herë pas here të njoftohet mbyllja e disa mijëra dyqaneve virtuale, por nxirren qindra operatorë të tjerë me thirrjen drejtuar markave të mëdha: Mblidhuni këtu, sepse unë kërkoj tregti pa hile. Në gusht, Alibaba firmosi një marrëveshje me kolosin e luksit, Kerig, i themeluar nga sipërmarrësi francez François-Henry Pinault. Pronari i markave të luksit si Gucci, Saint Laurent dhe Botega Veneta i tërhoqi akuzat ndaj Alibaba-s në gjykatën e Nju-Jorkut. Por pavarësisht vullnetit të mirë, problemi mbetet i pazgjidhur, pasi ajo që duhet të ndërhyjë është vetë qeveria kineze, e cila nga njëra anë deklaron me zë të lartë se do t’i mbrojë sipërmarrjet e huaja, ndërsa në prapaskenë thotë se “nuk duhet t’u japim shumë mbrojtje markave të mëdha, përndryshe hedhim në erë të gjithë industrinë e falsifikimit, që në Alibaba janë praktikisht 12 milionë vende pune”.
Fakt për këtë është një ligj mbi tregtinë online, që në Kinë ka 5 vjet që diskutohet. Në një prej pikave të tij parashikohet që “para sinjalizimit për falsifikim, nëse shitësi garanton se akuza nuk është e vërtetë dhe siguron dokumentacionin (që gjithashtu mund të jetë fals – shënim i autorit të shkrimit) askush nuk shkon për gjykim”. Praktikisht për platformat nuk parashikohet mbajtja e përgjegjësisë dhe as detyrimi për të verifikuar në rast sinjalizimi. Dhe problem nuk është vetëm Alibaba. Në internet mund të hasësh mijëra reklama, që nëse i klikon, të çojnë në faqe ku mund të blesh produkte të falsifikuara.
Sa vlen tregu i produkteve false?
Në vitin 2016, kjo vlerë qëndronte në 1.7 trilionë dollarë, por në 5 vitet e ardhshme parashikohet një rritje prej 70%. Ndërkohë, po bëhet gjithnjë e më normale pagesa me bitcoin, edhe pse Alibaba nuk i pranon ende. Thënia “ndiq paratë për të mbërritur te hajduti” nuk ka vlerë në këtë rast. Nëse paguan me bitcoin, çfarë do të ndjekësh?
Konkurrenca dhe pasojat sociale
Në kërkim të produktit me çmimin më të ulët, konsumatori e ushqen vetë flasifikimin. P.sh. 99% e pjesëve dhe pështatësit për iPhone nuk janë të sigurta si produkte. Bizneset e vogla dhe të mesme në Itali i gjejnë markat e tyre kudo, edhe në faqe të tjera përveç Alibaba-s. P.sh., ka prodhues të mëdhenj që prej vitesh prodhojnë çanta për adoleshentët, lëshojnë faturë për këtë, por malli është i falsifikuar. Askush nuk ngre zërin, për shkak të perceptimit se është diçka e padobi, e komplikuar dhe me kosto.
Po si ia bëjnë kompanitë e vogla dhe të mesme në konkurrencë me falsifikuesit, tregun e zi dhe dyqanet online që u japin përparësi artikujve që kushtojnë më pak? Ka vetëm një rrugë: të ulin çmimet edhe ata. Kjo do të thotë ulje e rrogave të punonjësve dhe reduktim në minimum i të drejtave të tyre si lejet vjetore, ato në rast sëmundjesh apo lejet e lindjes. Kompanitë dalin nga territori i shëndetshëm i konkurrencës së lirë për të hyrë në atë të braktisjes sociale.
Përgjegjësia e qeverisë kineze
Nëse kontrollet nuk nisin nga Kina, nuk ka shpresë për ndaljen e shpërndarjes së falsifikimit në shkallë botërore. Përgjegjësia më e madhe bie mbi qeverinë kineze, që duhet të hartojë ligje të qarta dhe efikase për mbrojtjen e markave dhe sigurinë e konsumatorit, por edhe për taksimin e shitjeve online. Por një ndryshim të tillë mund ta imponojnë vetëm markat e mëdha botërore, që në shumicën e rasteve mendojnë secila vetëm për veten.
Ku shtrihet Alibaba
Parashikimet për platformën e shitjeve online janë të jashtëzakonshme. Brenda vitit 2020 synohet kapitalizimi në vlerë 1 000 miliardë dollarë, duke lënë pas Apple, Alphabet, Amazon, Facebook dhe Tencent. Kolosi i shitjeve online po investon në të gjithë sektorët dhe në gjithë botën, që nga kompanitë që kanë në pronësi rrjete dyqanesh dhe supermarketesh, në media në lotari, në sport dhe shërbimet sanitare. Nëse do t’ia dalë të blejë edhe kompani që merren me shërbimet e pagesave (si p.shs. Western Union), do të bëhet akoma më i lehtë ndërtimi i një platforme të tillë jashtë Kinës, duke i hapur kështu rrugën shitjes së produkteve të falsifikuara në gjithë botën. Qeveria amerikane sapo ka hedhur poshtë kërkesën e Alibaba-s për blerjen e MoneyGram.
Çfarë i jep shoqërisë Alibaba?
Sipas pronarit të saj, Jack Ma, evazioni fiskal jo vetëm është i paligjshëm, por edhe imoral. Për këtë, ai ka deklaruar se çdo biznes duhet të paguajë pjesën e tij të taksave, meqë ato mund të punojnë vetëm falë infrastrukturës së paguar nga qytetarët. Por sa paguan vetë Alibaba? Sipas South China Morning Post, gazetë në pronësi të vetë Alibaba-s, gjiganti i tregtisë online dhe shoqëria e tij financiare Ant Financial, kanë paguar në 2016-n në total 3.5 miliardë dollarë, duke u bërë kështu kontributori më i madh në Kinë.
Por të gjitha degët e sistemit Alibaba mblidhen në kompaninë mëmë, Alibaba Group Holding Limited, me seli në ishujt Cayman. Sa janë taksat që paguhen? Zero, sepse ishujt Cayman hyjnë në kategorinë e parajsave fiskale.
Corriere della Sera: Përgatiti Gazmira Sokoli, TemA TV
22/01/2018 11:00 AM
22/01/2018 09:51 PM
22/01/2018 08:00 AM
22/01/2018 08:09 AM
22/01/2018 10:21 PM
22/01/2018 02:09 PM
22/01/2018 02:50 PM
2014 © Aplikacionet dhe lajme për Shqipërinë