Këto dështime nuk janë të kohëve të fundit, thotë eksperti i sigurisë kibernetike dhe për to po dëgjojmë vetëm tani sepse është në interes të dikujt.
WhatsApp gjatë vitit të kaluar ka raportuar 12 lëshime të sigurisë, deklaroi baza nacionale e cenimit të të dhënave në SHBA. Ky raport kontribuon më tej në çështjen e sigurisë së të dhënave të këtij aplikacioni, duke marrë parasysh edhe pretendimet e fundit se princi saudit Mohamed bin Salman ka hackuar telefonin e Jeff Bezos, themeluesit dhe pronarit të Amazon.
Të dhënat nga baza nacionale e cenimit të të dhënave në SHBA tregojnë se nga 12 raster, 7 prej tyre janë “kritike”. Me këtë, shkalla e cenueshmërisë së të dhënave u ngrit ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara, kur WhatsApp raportoi një ose dy shkelje të sigurisë, sipas Business Insider.
Kompania Facebook, e cila e bleu WhatsApp në vitin 2014, po mundohet të kuptojë se ku ndodhi ndërhyrja në sistemin operativ të pajisjes së Bezos.
Nick Clegg, nënkryetari i Facebookut përgjegjës për çështjet dhe komunikimet ndërkombëtare, tha për BBC javën e kaluar se hackimi i telefonit të Bezos nuk mund të jetë gabim i WhatsApp, pasi sistemi i korrespodencës ishte i mbyllur me kod, gjë që i pamundëson ata të kenë akses në mesazhe.
Ekspertët si Marc Rogers, nënkryetar i sigurisë kibernetike në kompaninë Okta, e cila merret me ndërtimin e softuerit për ruajtje të të dhënave dhe programeve të sigurisë së klientit, konsiderojnë se këto thyerje të sigurisë nuk janë të reja.
“Fakti që në vitin 2019 kanë gjetur thyerje të sigurisë nuk do të thotë që ato u krijuan pikërisht atëherë. Shumë prej tyre sigurisht kanë ekzistuar shumë kohë më parë, ndërsa ka shumë të ngjarë që dikush i ka keqpërdorur ato”, pretendon Rogers.
Ai shton se vetëm tani po dëgjojmë për cenueshmërinë e të dhënave në WhatsApp, sepse është në interes të dikujt, i cili edhe vetë frikësohet se sa larg është shkuar me keqpërdorimin.
02/02/2020 07:15 PM
2014 © Aplikacionet dhe lajme për Shqipërinë